
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka kritikuar vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për nënshkrimin e dekreteve që formalizojnë shkarkimin e shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, duke e cilësuar atë si një veprim me prapavijë politike dhe jo juridike.
Hasani tha se, nëse synimi do të ishte zbatimi i ligjit, vendimi do të duhej të merrej në kohën kur ishin krijuar rrethanat ligjore dhe jo katër vjet më vonë.

“Nëse dikush donte të vepronte sipas ligjit, duhej të vendoste atëherë. Jo katër vjet më vonë. Tani po krijohet përshtypja sikur ligji po zbatohet, kur në fakt po zgjidhet një çështje politike”, deklaroi Hasani.
Sipas tij, si Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ashtu edhe ushtruesja e detyrës së presidentes kanë marrë vendime për një çështje që, sipas vlerësimit të tij, nuk ka qenë në kompetencën e tyre.
“Ky është një demonstrim pushteti nën maskën e ligjshmërisë. Ushtrim pushteti”, u shpreh Hasani.
Deklaratat e tij vijnë pasi Albulena Haxhiu nënshkroi dekretet për shkarkimin e shtatë prokurorëve serbë, një ditë pasi KPK refuzoi kërkesat e tyre për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në nëntor të vitit 2022 dhe i propozoi ushtrueses së detyrës së presidentes shkarkimin e tyre.



