
Pronarja e TV21 dhe gazetarja veterane, Afërdita Saraçini, ka folur për figurën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke e përshkruar atë si një personalitet shumë më rebel dhe revolucionar sesa përshtypja që krijonte me paraqitjen e tij të qetë publike.
E ftuar në emisionin “Pressing One”, Saraçini ka folur për rolin politik të Rugovës, por edhe për personalitetin e tij.

“Ibrahim Rugova ka qenë një rebel që kur e shohësh historikisht në veprimtarinë politike ai është dukur i qetë, për toke, i matur. Por si njeri nuk ka qenë i tillë, ai ka qenë rebel në vete, një luftë për ndryshimin”, ka thënë ajo.
Sipas Saraçinit, prapa filozofisë paqësore me të cilën identifikohej Rugova qëndronte një personalitet revolucionar.
“Ndonese eshte fsheh pas gandizmit të tij, ai ka qenë revolucionar”, tha Saraçini.
Gazetarja veterane ka treguar gjithashtu se e kishte pasur Rugovën mysafir të përjavshëm në intervista në periudhën kur ai njihej si kritik letrar, para se të hynte në politikë dhe të merrte drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Saraçini ka kujtuar kështu Rugovën edhe nga periudha para angazhimit të tij politik, kur ai ende nuk ishte shndërruar në një nga figurat kryesore të lëvizjes politike të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi.



