
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të Kushtetutës, duke thënë se situata është edhe më e rëndë në Qeveri.
Në një konferencë për media të mbajtur bashkë me përfaqësues të PDK-së, Tahiri ka thënë se shkeljet, sipas tij, nuk po ndodhin vetëm në Kuvend.

“Ajo që na brengos shumë është se shkelja e Kushtetutës, përveç që po ndodh në Kuvend, është ka ndodh edhe ma zi në Qeveri”, ka thënë ai.
Tahiri ka pretenduar se Qeveria Kurti po e shkel edhe ligjin që e ka miratuar vetë, duke iu referuar ministrave që njëkohësisht janë zgjedhur deputetë.
“Në Kosovë sot e kemi Kuvendin jofunksional, të uzurpuar dhe njëkohësisht i kemi ja 17 ministra, të cilët janë deputetë dhe shkojnë në zyre në mënyrë antiligjore. Prokuroria duhet të veproi sepse janë ka shkelen të gjitha normat juridike”, ka thënë ai.
Tahiri ka kërkuar ndërhyrjen e Prokurorisë për të trajtuar situatën që ai e konsideron shkelje të normave juridike.



