Bllokada e Kuvendit, Hasani kritikon VV-në: Sjellje tërësisht jokushtetuese dhe arbitrare

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ka folur për bllokadën e Kuvendit të Kosovës.

Në një intervistë për Express-in, Hasani ka kritikuar VV-në për mungesën e konstituimit të Kuvendit.

banner

Mos thirrjen e seancës nga ana e Avni Deharit të VV-së, Hasani e ka quajtur si tërësisht jokushtetuese dhe arbitrare.

“Kjo sjellje është tërësisht jokushtetuese dhe arbitrare, siç ka qenë edhe vitin që lamë pas. Është moralisht e papranueshme, përveç aspektit juridik, që një njeri në atë moshë të pranojë të luajë një rol të tillë krejtësisht antikushtetues dhe në dëm të së ardhmes së Kosovës. Kjo periudhë dhe sjellja e zotit Dehari do të mbahen mend gjatë si një njollë e zezë në historinë politike dhe kushtetuese të vendit.

Kryesuesi i Kuvendit nuk ka asnjë të drejtë të bëjë vlerësime të gjendjes faktike politike në vend, as të veprojë ndryshe nga agjenda e paracaktuar nga kryetari i vjetër i Kuvendit dhe forcat politike në Kuvend. Këtë e ka konfirmuar disa herë Gjykata Kushtetuese.

Vlerësimi i zotit Dehari se mund të ketë konflikt, bazuar në skandalin që vetë ai ka lejuar të krijohet, paraqet një sjellje arbitrare që nuk i ka hije një njeriu të moshuar, i cili do të duhej të ishte shembull i respektimit të Kushtetutës dhe ligjit në vend, si dhe i demokracisë parlamentare.

Gabimi më i madh i politikës kosovare ka qenë që moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk e ka përcaktuar si vepër të veçantë penale, siç kanë vepruar disa vende të tjera. Një zgjidhje e tillë do të kishte ndihmuar shumë në kontekstin e kulturës së dobët institucionale në Kosovë, ku, jo rrallë, frika nga sanksioni mbetet arsyeja më e fuqishme për respektimin e Kushtetutës dhe të ligjit. Shumëçka do të kishte qenë ndryshe” – ka theksuar Hasani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.