
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar nga aksioni i PDK-së para Qeverisë, ku të mërkurën deputetëve të kësaj partie u janë bashkuar edhe një grup prodhuesish vendorë.
Çitaku ka thënë se Kuvendi nuk u përket deputetëve, por qytetarëve dhe se aty duhet të diskutohen problemet me të cilat përballen ata.

“Kuvendi nuk është i deputetëve.
Kuvendi është i qytetarëve.
I mjekëve dhe infermierëve. I fermerëve e prodhuesve. I mësuesve, policëve, ushtarëve, studentëve. I secilit qytetar të Republikës.
Kuvendi është vendi ku ne, si të zgjedhur të popullit, duhet të flasim për hallet dhe brengat e tyre, për problemet me të cilat përballen çdo ditë, por edhe për zgjidhjet që presin nga ne”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka treguar se aksionit të sotëm i është bashkuar një grup prodhuesish nga Kosova, të cilët kanë folur për sfidat dhe kërkesat e tyre.
“Sot na u bashkua një grup prodhuesish nga Kosova. Njerëz që punojnë, prodhojnë, krijojnë vende pune dhe mbajnë gjallë ekonominë tonë. Ata ndanë me ne sfidat e shumta me të cilat përballen dhe kërkesat e tyre të drejta.
Kuvendi duhet t’i dëgjojë këta zëra. Sepse politika ka kuptim vetëm kur i shërben qytetarit”, ka shkruar Çitaku.



