Çitaku: Në burg nuk janë liderët e PDK-së e VV-së, por liderët e UÇK-së dhe të Kosovës

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar për procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke thënë se çështja e tyre tejkalon përkatësitë partiake.

Çitaku ka thënë se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi nuk duhet të shihen në këtë proces si përfaqësues të partive të tyre, por si figura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të historisë së Kosovës.

banner

“Nuk është në burg Hashim Thaçi i PDK-së. Në burg është Hashim Thaçi i UÇK-së. Hashim Thaçi i Kosovës.

Nuk është në burg Kadri Veseli i PDK-së. Në burg është Kadri Veseli i UÇK-së. Kadri Veseli i Kosovës.

Nuk është në burg Jakup Krasniqi i PDK-së. Në burg është Jakup Krasniqi i UÇK-së. Jakup Krasniqi i Kosovës.

Nuk është në burg Rexhep Selimi i VV-së. Në burg është Rexhep Selimi i UÇK-së. Rexhep Selimi i Kosovës”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka shtuar se, sipas saj, procesi nuk lidhet vetëm me fatin personal të katër të akuzuarve.

“Në burg është UÇK-ja. Historia jonë. Lufta jonë për liri. Një pjesë e pandashme e asaj që jemi sot.

Prandaj, më 16 shtator nuk vendoset vetëm për fatin personal të katër burrave.

Vendoset për historinë tonë. Për të vërtetën e luftës sonë. Për mënyrën se si brezat që vijnë do ta lexojnë dhe do ta kuptojnë rrugën e Kosovës drejt lirisë”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka bërë thirrje që 16 shtatori të shihet përtej ndarjeve partiake.

“Sepse historia që ua lëmë fëmijëve tanë është po aq e rëndësishme sa e ardhmja që ndërtojmë për ta.

Më 16 shtator, përtej partive e dallimeve tona, është Kosova”, ka përfunduar Çitaku.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.