
Shkollat publike në Kaliforni mund të lejohen së shpejti të mbyllen për Fitër Bajram dhe Kurban Bajram, sipas një projektligji që po kalon nëpër procedurat përfundimtare legjislative.
Projektligji i njeh zyrtarisht dy festat islame dhe parashikon që shkollat publike dhe kolegjet komunitare të mund të mbyllen në këto ditë.

Po ashtu, punonjësve shtetërorë do t’u lejohej të përdorin ditët ekzistuese të pushimit me pagesë për t’i shënuar këto festa.
Mbështetësit e projektligjit thonë se masa synon trajtim të barabartë për familjet myslimane në Kaliforni.
Nga ana tjetër, një grup konservator i krishterë që kundërshton pjesën që lidhet me shkollat ka argumentuar se ligji i Kalifornisë nuk përmban dispozita të ngjashme për kremtimin e Krishtlindjeve, Pashkëve ose së Premtes së Madhe në shkolla.
Projektligji është miratuar në Asamblenë e Kalifornisë me 64 vota për dhe vetëm një kundër.
Tashmë ai duhet të marrë edhe miratimin përfundimtar të Senatit përpara se t’i dërgohet guvernatorit Gavin Newsom për nënshkrim.



