
Blerim Gashi ka reaguar lidhur me zhvillimet politike rreth zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, duke thënë se ata që janë për marrëveshje janë për zgjidhje institucionale dhe kundër zgjedhjeve të reja.
Sipas tij, refuzimi i dialogut dhe i përfshirjes në bisedime e afron vendin drejt zgjedhjeve.

“Ai që sot është për marrëveshje për Presidentin, është për zgjidhje institucionale dhe kundër zgjedhjeve të reja.
Ndërsa ai që refuzon dialogun, nuk pranon të përfshihet në bisedime dhe nuk tregon gatishmëri për marrëveshje për Presidentin, është për zgjedhje të reja”, ka shkruar Gashi.
Ai ka theksuar se nuk mund të kërkohet zgjidhje, ndërkohë që refuzohen përpjekjet për marrëveshje.
“Nuk mund të kërkosh zgjidhje dhe në të njëjtën kohë të refuzosh çdo përpjekje për marrëveshje”, ka thënë ai.
Gashi ka shtuar se qëndrimi politik matet me vendime dhe veprime konkrete, jo vetëm me deklarata.
Sipas tij, refuzimi i dialogut e bllokon zgjidhjen institucionale, e zgjat krizën politike dhe e afron vendin me zgjedhje të reja.
“Prandaj, përgjegjësia duhet të jetë e drejtpërdrejtë dhe publike: kush e refuzon marrëveshjen, nuk mund të distancohet nga pasojat e refuzimit”, ka shkruar Gashi.
Ai ka thënë se, nëse zgjedhjet bëhen të pashmangshme si rezultat i bllokimit, përgjegjësinë politike duhet ta mbajnë ata që kanë refuzuar të negociojnë.
“Koha për paqartësi ka përfunduar. Tani secili duhet të tregojë qartë nëse është për marrëveshje dhe zgjidhje, apo për bllokim dhe zgjedhje të reja”, ka përfunduar Gashi.



