
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, pas deklaratës së këtij të fundit se e ka tërhequr emrin nga artikulli ku ishte bashkautor dhe që përmbante përmbajtje kundër UÇK-së.
Limaj tha se “dëmi i shkaktuar nuk hiqet” dhe se statusi i Bashës është “fyerje e dyfishtë për popullin e Kosovës”.
“Kjo është me fy inteligjencën e njerëzve në Kosovë. Në një vend normal nuk i drejtohet ky status. Turp është me drejtu kështu, se tash kemi një fyerje të dyfishtë ndaj popullit. Nuk është shtëpi që e prish e e bën të re. Kjo është sikur me vra një njeri – a mund ta ngjallësh? Jo. Dëmi është bërë dhe nuk hiqet. Hyni në YouTube dhe shihni çfarë ka, dëmi nuk shlyhet kështu,” deklaroi Limaj në emisionin Pressing, transmeton Gazeta Express.
Ai shtoi se e kaluara nuk mund të fshihet dhe se, kur dikush garon për poste publike, duhet të gjykohet mbi raportin me shtetin dhe të kaluarën e tij.
“Ky njeri është sot kryetar i Kuvendit. Në një shoqëri normale, pyetja e parë që shtrohet është: a është i përshtatshëm ky njeri për këtë post?”, tha Limaj.



