
Studentët që protestuan këtë të martë para ministrisë së arsimit janë përballur me dhunën e forcave speciale në momentin që thyen dyert e godinës së ministrisë dhe kangjellat në Rrugën e Durrësit. Tubimi nisi i tensionuar me thirrjet “Duam kushte, duam dije, jo përralla qeverie”, “Kur zgjohet rinia, bie qeveria” dhe “Rama, jep dorëheqjen”, shkruan Lapsi.al.
Protestuesit u mblodhën rreth orës 14:00 në Rrugën e Durrësit, përpara godinës së ministrisë, ku ishin vendosur forca të shumta policore. Situata u tensionua kur një pjesë e të rinjve hodhën vezë, shishe uji, letra higjienike, gurë dhe kapsolla drejt institucionit. Në fasadën e ministrisë u shkrua “Ministri e Krimit”.
Por në momentin kur dera e hyrjes së ministrisë u hap dhe u hoqën kangjellat mbrojtëse, forcat speciale e policisë që ishin në pritje, kanë ndërhyrë ashpër duke përdorur shkopinjtë e gomës dhe ujin me presion kundër protestuesve.
Organizatorët kishin bërë thirrje për pjesëmarrje nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, me synimin për të bashkuar studentët dhe qytetarët në një reagim më të gjerë.
Prej më shumë se gjashtë orësh, qendra e Tiranës u përfshi nga kaosi dhe flakët, për shkak të përplasjeve të dhunshme. Me dhjetëra video në rrjetet sociale dëshmuan se si studentë, protestues dhe qytetarë të moshuar janë përballur me ndërhyrjet e dhunshme të forcave të rendit, me goditje të shkopinjve të gomës, me ujë me presion, rrahje dhe tërheqje zvarrë nga civilë të maskuar.
Përplasjet u përqëndruan në Rrugën e Durrësit edhe në orët e mbrëmjes ku një grup të rinjsh dëmtuan platformat e reklamave në rrugë, hoqën pllakat e trotuareve dhe shqyren kangjellat në anë të rrugës në shenjë proteste, ndërsa më pas u vunë flakën kazanëve të mbeturinave. Në një prej incidenteve, protestuesit hynë në ambientet e institucionit financiar “Iute Credit”, nxorën mobiliet në rrugë dhe u vunë flakën.
Forcat e policisë mësynë drejt grupit të protestuesve në orët e vona të mbrëmjes dhe protesta u zhvendos në qendër të kryeqytetit, deri pranë bashkisë së Tiranës ku qytetarët shembën hyrjen kryesore dhe tentuan të futen brenda godinës./LAPSI.AL.



