
Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme në Serbi, të mbajtura të dielën, më 25 tetor, pavarësisht nëse lista e tij fiton apo humbet.
Në një deklaratë pas votimit, Vuçiq tha se vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe se humbja eventuale do të pranohet nga forca politike që ai përfaqëson.
“Siç kam thënë gjithmonë, zgjedhjet mund t’i fitoni ose t’i humbni. Ne gjithmonë do të sillemi me përgjegjësi. Nëse humbim, do ta pranojmë vullnetin e votuesve, ndërsa nëse fitojmë, askush nuk do të na e marrë fitoren”, deklaroi Vuçiq.
Zgjedhjet e kësaj të diele kanë përballur listën “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar” me Listën Studentore, e cila është formuar pas protestave masive kundër pushtetit serb.
Sipas një vlerësimi parazgjedhor të agjencisë londineze Latenta, Lista Studentore mund të merrte 47.6 për qind të votave, ndërsa lista e Vuçiqit 41.7 për qind. Këto shifra, megjithatë, janë vlerësime të bazuara në anketim dhe jo rezultate nga numërimi i votave.
Zgjedhjet janë zhvilluar në një atmosferë tensionesh politike dhe me pjesëmarrje të lartë të votuesve. Lëvizja studentore është fuqizuar pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Sipas Reuters, pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 19:00 kishte arritur në 67.6 për qind.



