Haxhiu: Të hetohet çdo veprim dhe mosveprim institucional në rastin e Arlindës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës dhe për mënyrën se si institucionet i trajtuan kërkesat e saj për mbrojtje.

Haxhiu ka thënë se Zekaj u vra pak minuta pasi u kthye në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte denoncuar dhunën në familje. Sipas saj, tri ditë para vrasjes, viktima i kishte shkruar Prokurorisë në Pejë: “Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.

Ajo ka kërkuar që hetimi të përfshijë jo vetëm rrethanat e vrasjes, por edhe trajtimin e denoncimeve, vlerësimin e rrezikut dhe masat e ndërmarra për mbrojtjen e Zekajt.

“Duhet të sqarohet çdo veprim dhe mosveprim i mundshëm institucional dhe, aty ku vërtetohen shkelje, të përcaktohet përgjegjësia përkatëse”, ka shkruar Haxhiu.

Kryetarja e Kuvendit ka bërë të ditur se, në kuadër të përgjegjësive mbikëqyrëse të Kuvendit, do të kërkojë që komisionet përkatëse parlamentare të shqyrtojnë funksionimin e mekanizmave për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe parandalimin e femicidit, veçanërisht vlerësimin e rrezikut dhe bashkërendimin ndërinstitucional.

Në fund, Haxhiu u ka shprehur ngushëllime djalit të Arlindës dhe familjarëve të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.