Prokuroria e Pejës shfajësohet për rastin e Arlinda Zekajt: Dy ditë para vrasjes u ngrit aktakuzë ndaj ish-burrit të saj

Prokuroria Themelore në Pejë ka dhënë disa detaje për veprimet institucionale pas kërkesës së Arlinda Zekajt për mbrojtje, të cilën ajo e kishte paraqitur më 22 tetor, tri ditë para se të vritej në Vitomiricë të Pejës.

Prokuroria njoftoi se Kryeprokurorja e kishte adresuar çështjen te institucionet kompetente dhe kishte iniciuar rast për hetimin e pretendimeve për veprime ose mosveprime të mundshme të zyrtarëve. Po ashtu, Prokuroria tha se se më 23 tetor kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të viktimës për kanosje.

Në reagimin e saj, Prokuroria ka përshkruar veprimet që tha se janë ndërmarrë nga institucionet, përfshirë trajtimin e kërkesës së viktimës për zbatimin e një urdhri gjyqësor dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët.

Reagimi i plotë i Prokurorisë Themelore të Pejës:

Prokuroria Themelore në Pejë sqaron veprimet institucionale lidhur me rastin tragjik të Arlinda Zekajt

Pejë, 26 tetor 2026 – Prokuroria Themelore në Pejë, duke shprehur keqardhje të thellë për rastin tragjik të vrasjes së Arlinda Zekajt, njofton opinionin publik lidhur me veprimet e ndërmarra nga Kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit, pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Më 22 tetor 2026, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë ka pranuar një kërkesë nga tani e ndjera Arlinda Zekaj, përmes së cilës ajo ka paraqitur pretendimet e saj lidhur me trajtimin e rasteve të mëparshme dhe ka kërkuar ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e një urdhri gjyqësor.

Pas pranimit të kërkesës, Kryeprokurorja ka vlerësuar rrethanat e paraqitura dhe e ka adresuar çështjen te institucionet përkatëse, përfshirë Policinë e Kosovës, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Qendrën për Punë Sociale dhe Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, me kërkesë që të vlerësohej me urgjencë situata, të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion.

Njëkohësisht, Kryeprokurorja ka iniciuar rast për hetimin e pretendimeve të paraqitura në kërkesën e palës, me qëllim të vlerësimit nëse në veprimet ose mosveprimet e personave zyrtarë të përmendur përmbushen elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas dokumentacionit të referuar në kërkesë, më 16 tetor 2026, Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës.

Në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.

Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët.

Më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë thekson se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj.

Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë.

Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.