
Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë dyshon se marrëdhënia ndërmjet Ergys Agasit dhe ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, mund të ketë pasur edhe komponent financiar, përtej shkëmbimit të dyshuar të informacioneve sekrete.
Sipas burimeve të “Ora News”, SPAK-u ka dërguar letërporosi në Kosovë dhe Gjermani për të siguruar të dhëna lidhur me hetimin.
Hetuesit kanë identifikuar një transfertë prej 450 mijë eurosh nga kompania “Fortis Beton” drejt shoqërisë gjermane “Erd & Tiefbau Dingler GmbH”, me përshkrimin “pagesë për kontratë huaje”. Transferta ishte kryer më 26 shkurt 2024, por ishte anuluar një ditë më vonë.
Përfaqësues i kompanisë gjermane rezulton të jetë Izet Dingler, i cili, sipas raportimit, është vëllai i Vlora Hysenit dhe dyshohet se përdor një identitet tjetër.
SPAK-u dyshon se Agasi mund të ketë përdorur fondet e AKSHI-t për ta korruptuar Hysenin, në këmbim të informacioneve sekrete. Sipas Prokurorisë, anulimi i transfertës nuk e përjashton dyshimin për premtimin apo pranimin e një përfitimi të parregullt.
Pretendimet mbeten në fazën e hetimit dhe personat e përmendur konsiderohen të pafajshëm derisa përgjegjësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.



