
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është përgjigjur rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive, pasi më herët të enjten nuk komentoi me arsyetimin se po e pret publikimin e aktgjykimit të plotë.
Ai ka thënë se nuk e zë askush karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga komuniteti serb, teksa theksoi se po i bëhet dëm Kosovës nga moskonstituimi.
“Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ne duhet ta shohim atë në mënyrë të plotë për të dhënë vlerësimin tonë, por ajo që mund të them tani është se konsideroj që është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Republikës së Kosovës. Kuvendi i Republikës e ka zgjedhë kryetarin Dimal Bashën, i ka zgjedhë katër nënkryetarët Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun, Kujtim Shalën dhe Emilja Rexhepin askush nuk është duke e zënë karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb. Është dashur të vazhdoj puna e Kuvendit sepse shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur”, ka thënë Kurti pas inaugurimit të një çerdheje në Shtime.
Ndërsa, sa i përket çështjes së votimit në pako të nënkryetarëve të komuniteteve, Kurti ka shtuar se nuk mund të kthehet mbrapsht votimi i përfunduar.
Emilja Rexhepi është nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk mundet votimi për Emilja Rexhepin të anulohet, prandaj ne kemi ngelur te nënkryetari i fundit nga komuniteti serb por mos harroni nuk janë serb vetëm ata të Listës Serbe, serb është edhe Nenad Rashiq. Në njërën anë përfaqësuesi i Listës Serbe i mori veç 10 vota, a Nenad Rashiq i mori 56, veç 5 vota të ia jepshin këta 52 që janë të opozitës sot nuk ishim duke i bërë këto pyetje dhe këto përgjigje”.



