Besnik Krasniqi: PDK-ja përjetoi poshtërimin më të madh nga Përparim Rama

Gazetari thotë se asnjëherë në historinë e saj Partia Demokratike e Kosovës nuk është poshtëruar më shumë sesa nga Përparim Rama, i cili pas zgjedhjeve të 2021-ës shkarkoi figurat kryesore të saj nga kabineti në Prishtinë.

Gazetari Besnik Krasniqi ka komentuar raportin e Partisë Demokratike të Kosovës me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, duke e cilësuar këtë periudhë si “poshtërimin më të madh në historinë e PDK-së”.

Sipas tij, në fillim të shkurtit 2024, Rama kishte larguar nga pozitat kyçe në komunë figurat më të rëndësishme të PDK-së që e kishin mbështetur në balotazh. Fillimisht u shkarkua drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, e vetëm tri ditë më pas edhe nënkryetarja Donjeta Sahatçiu, e cila njëkohësisht ushtronte detyrën e drejtoreshës për Arsim.

“Duke e ndihmuar në balotazh, PDK-ja e bëri kryetar Ramën, e ky ndihmën ia ktheu me poshtërim,” shkruan Krasniqi. Ai thekson se, përveç shkarkimeve pa konsultim paraprak me partnerin e koalicionit, Rama kishte tentuar t’i faturonte PDK-së të gjitha dështimet në qeverisjen komunale.

Sipas gazetarit, Rama fajësoi Musliun për grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet, ndërsa pas shkarkimit të tij, kur situata nuk u përmirësua, akuzoi “aksionarët dhe bordin e Uran Ismailit” për gjendjen në Prishtinë. Ndërkaq, Donjeta Sahatçiun e bëri përgjegjëse për dështimet në arsim dhe për projektin e dixhitalizimit.

Krasniqi thekson se Uran Ismaili e ka rritur mbështetjen e PDK-së në Prishtinë, pjesërisht për shkak të distancimit nga LDK-ja dhe pendesës që partia shprehu për bashkëpunimin e kaluar me Ramën.

“Por nëse nesër strukturat e PDK-së dhe elektorati i saj vendosin ta mbështesin prapë Përparim Ramën, atëherë do të dëshmojnë se nuk kanë mësuar asgjë nga poshtërimi i parë dhe se kanë hequr dorë nga dinjiteti,” përfundon Krasniqi, duke shtuar se “një parti që pranon të përkulet para atij që e ka poshtëruar, nuk mund të kërkojë nesër votë nga prishtinalitë.

Back to top button