
Moderatori i emisionit politik “Pressing”, Leonard Kerquki, ka reaguar pas situatës së krijuar gjatë transmetimit të sonte, duke shprehur keqardhje për ngjarjen dhe sqaruar se ajo nuk ka qenë as e planifikuar dhe as e dëshiruar nga ana e tij.
“Ndjej thellësisht keqardhje për situatën e krijuar sonte në ‘Pressing’. As nuk ishte e nxitur, e aq më pak e dëshiruar prej anës time,” ka shkruar Kerquki, duke theksuar se të gjithë mysafirët janë njoftuar që në mesditë për panelistët dhe temën e debatit — pretendimet e PDK-së për keqpërdorimin e votave në Mitrovicë.
Sipas tij, zhvillimi i debatit është po aq në dorën e të ftuarve sa edhe në të tij, por megjithatë pranon se “sonte, shkoi keq dhe ndjej keqardhje.”
Kerquki gjithashtu reagoi ndaj deklaratave të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila e kishte quajtur “rrugaç”, bashkë me televizionin ku transmetohet emisioni. “Zonja Gërvalla para disa muajsh, me kërkesën e saj, ka ardhur pikërisht në emisionin tim. E kam trajtuar denjësisht sikurse çdo të ftuar tjetër,” ka thënë ai.
Moderatori shtoi se “Pressing” nuk është platformë personale, por e publikut që i drejtohet, duke nënvizuar se hapësira për përfaqësues të ndryshëm politikë ka qenë dhe do të mbetet e barabartë.
“Sa për ofendimin që e bën zonja Gërvalla, personalisht nuk e ndjej të nevojshëm t’i përgjigjem. Ky është niveli i saj – dhe në atë nivel nuk dua të bie,” përfundon reagimi i Leonard Kerqukit.



