
Gjenerali i pensionuar i NATO-s, Wesley Clark, ka vlerësuar rolin e Ibrahim Rugovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si në një fjalim në Prishtinë, ashtu edhe gjatë dëshmisë së tij në Hagë.
Në qershor të vitit 2024, Clark u nderua nga LDK-ja me dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova”, për rolin e tij në çlirimin e Kosovës. Në fjalën e rastit, ai foli për kohën kur udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe.
Duke krahasuar Kosovën me vende të tjera ku kishte ndërhyrë NATO-ja, si Libia, Iraku dhe Afganistani, Clark tha se në Kosovë funksiononte LDK-ja dhe se kjo kishte ndikuar në suksesin e intervenimit.
“Ka vetëm një arsye pse intervenimi i NATO-s në Kosovë kishte sukses, ajo quhet LDK”, tha Clark. Ai falënderoi LDK-në dhe u shpreh se sa herë kthehej në Kosovë, mahnitej me përparimin e vendit.
Gjatë dëshmisë në Hagë, në nëntor të vitit 2025, Clark iu referua sërish Rugovës dhe lëvizjes politike të udhëhequr prej tij, duke folur për periudhën kur trupat ndërkombëtare hynë në Kosovë.
“Ne ishim me fat që kishim Ibrahim Rugovën që priste dhe një lëvizje politike që ishte e shtrirë në të gjithë Kosovën kur hymë ne. Kjo lëvizje u rishfaq me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Ibrahim Rugovën”, tha Clark.



