
Kancelari gjerman thotë se garancitë e sigurisë për Ukrainën nga SHBA-ja dhe Evropa do të përfshinin veprime ushtarake, por thekson se një skenar i tillë mbetet ende i largët.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se sipas garancive të sigurisë të ofruara Ukrainës nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara në rast të arritjes së një armëpushimi, trupat paqeruajtëse do të mund t’i sprapsnin forcat ruse nëse do të shkeleshin kushtet e marrëveshjes. Ai theksoi, megjithatë, se një situatë e tillë mbetet ende larg realizimit.
Në një intervistë, Merz u vu nën presion nga gazetarët për të sqaruar hollësitë e garancive të mundshme të sigurisë, të cilat janë përmendur nga SHBA-ja gjatë bisedimeve të së hënës në Berlin me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ai tha se garantuesit do të kishin detyrimin të reagonin në rast të shkeljeve nga Rusia, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne do të siguronim një zonë të demilitarizuar mes palëve ndërluftuese dhe, që të jem shumë specifik, ne gjithashtu do të vepronim kundër depërtimeve dhe sulmeve përkatëse ruse. Ende nuk jemi atje”, deklaroi kancelari gjerman.
Merz e cilësoi si domethënës qëndrimin e ri të Shteteve të Bashkuara, duke thënë se zotimi amerikan për mbrojtjen e Ukrainës në rast të një armëpushimi, sikur të ishte territor i NATO-s, përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në politikën e Uashingtonit. “Mendoj se ky është një pozicion i ri domethënës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.
Ndërkohë, Rusia ende nuk është pajtuar për një armëpushim, të cilin SHBA-ja dhe Evropa e shohin si parakusht për ofrimin e garancive të sigurisë ose për vendosjen e trupave perëndimore në terren në Ukrainë, me qëllim përfundimin e luftës që nisi në shkurt të vitit 2022.
Merz foli gjithashtu për mundësinë e përdorimit të aseteve të ngrira ruse për financimin e mbrojtjes së Ukrainës, duke vlerësuar se gjasat për një marrëveshje evropiane në këtë drejtim janë “50:50”. Sipas tij, një hap i tillë është thelbësor, pasi Ukrainës do t’i nevojitej financim për të paktën dy vjet shtesë, pasi fondet aktuale evropiane pritet të shpenzohen deri në çerekun e parë të vitit të ardhshëm.



