IHMK demanton lajmet për –20°C dhe borë në fundvit

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thotë se njoftimet për temperatura ekstreme kanë krijuar konfuzion dhe janë të jashtëligjshme kur nuk vijnë nga IHMK-ja.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka reaguar ndaj lajmeve të shpërndara ditëve të fundit në media dhe rrjete sociale, sipas të cilave fundviti në Kosovë pritet të shoqërohet me temperatura ekstreme deri në –20 gradë Celsius dhe me reshje bore. Sipas IHMK-së, këto informacione kanë shkaktuar shqetësim dhe konfuzion te qytetarët.

banner

Në reagimin e tij zyrtar, IHMK thekson se është institucioni i vetëm i autorizuar për të bërë parashikime dhe paralajmërime zyrtare të motit në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin Nr. 06/L-035 për Veprimtarinë Hidrometeorologjike. Instituti i referohet nenit 13, që ka të bëjë me sistemin e paralajmërimit të hershëm për ngjarje të jashtëzakonshme hidrometeorologjike, si dhe nenit 28 për lëshimin e informacionit të përgjithshëm meteorologjik dhe hidrologjik.

Sipas nenit 9, pika 2 e këtij ligji, parashikimi zyrtar i motit dhe paralajmërimi i hershëm i fatkeqësive natyrore me origjinë hidrometeorologjike janë ekskluzivitet i IHMK-së. “Andaj çdo subjekt apo individ tjetër që bën njoftim, parashikim apo paralajmërim për motin, fillimisht është i jashtëligjshëm e më pas joprofesional dhe shkencërisht i pa drejtë”, thuhet në reagim.

Ky sqarim vjen pasi menaxheri i departamentit meteorologjik në KANS, Sherif Gosalci, deklaroi një ditë më parë se sipas parashikimeve aktuale pritej një depërtim i masave shumë të ftohta ajrore në pjesën e dytë të javës së ardhshme, me temperatura që mund të zbresin deri në –20 gradë Celsius.

Në reagimin e plotë, IHMK ka sqaruar edhe standardet shkencore të parashikimit të motit, duke theksuar se ato bazohen në rregullat globale të Organizatës Botërore Meteorologjike. Sipas institutit, parashikimet afatshkurtra (1–3 ditë) kanë saktësi të lartë mbi 80 për qind, ndërsa besueshmëria bie ndjeshëm për parashikimet afatmesme dhe të zgjatura.

IHMK rikujton se parashikimi i besueshëm i motit, për shkak të natyrës dinamike të atmosferës, është i kufizuar në rreth 7 deri në 10 ditë dhe se për periudha më të gjata jepen vetëm tendenca të përgjithshme, jo kushte të sakta meteorologjike.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.