Rritet numri i pacientëve me viroza sezonale në Prishtinë

QKMF raporton fluks të shtuar gjatë javëve të fundit, veçanërisht në fundjavë.

Në javët e fundit është shënuar rritje e dukshme e numrit të qytetarëve të prekur nga virozat sezonale, ndërsa gjithnjë e më shumë pacientë po kërkojnë trajtim mjekësor në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

banner

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Valdet Hashani, ka bërë të ditur se fluksi i pacientëve është rritur ndjeshëm, sidomos gjatë ditëve të fundit dhe fundjavës së kaluar. Sipas tij, kjo rritje po reflektohet në të gjitha njësitë shëndetësore në kryeqytet.

Hashani tha se pacientët po paraqiten me simptoma të ndryshme, përfshirë infeksione të traktit të sipërm respirator, dhimbje të grykës, temperaturë, ethe, kollë, dhimbje muskulore, marramendje, si dhe shqetësime gastro-intestinale si vjellje dhe barkqitje. Simptomatologjia ndryshon sipas moshës dhe gjendjes shëndetësore të pacientëve.

Ai theksoi se në rastet kur vlerësohet e nevojshme, po kryhen edhe analiza laboratorike në pothuajse të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë dhe zonat rurale. Të dhënat tregojnë se shumica e rasteve janë infeksione virale, por ka edhe pacientë që, për shkak të vonesës në paraqitje për trajtim, zhvillojnë infeksione bakteriale dhe kanë nevojë për terapi me antibiotik.

Hashani sqaroi se antibiotikët përshkruhen vetëm nga mjekët, bazuar në vlerësimin profesional dhe ekzaminimet shtesë, duke shtuar se ende ka pacientë që i kërkojnë ata pa nevojë.

Ai bëri të ditur gjithashtu se qendrat shëndetësore po raportojnë rregullisht çdo rast në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe se, pavarësisht kapaciteteve të kufizuara për shkak të mungesës së stafit, shërbimet po ofrohen pa ndërprerje.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.