
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kundërshtuar idenë e krijimit të një blloku opozitar me parti të tjera, duke thënë se një afrim i tillë do ta dëmtonte LDK-në elektoralisht.
Në një intervistë në Kanal 10, Abdixhiku ka thënë se elektoratet e LDK-së dhe të partive të tjera opozitare janë të ndryshme dhe se bashkimi i tyre nuk do t’i sillte vota LDK-së.

“[Ideja e bllokut opozitar] është shumë e dëmshme sepse elektoratet i kemi të ndryshme. Dhe në momentin që ndodh ky grup, votat e LDK-së përfundojnë në Vetëvendosje, nuk përfundojnë te Samia”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka përmendur konkretisht kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, duke thënë se një bashkim politik me të nuk përfaqëson atë që ai e konsideron LDK-në.
“Pra, nëse dikush e ka ëndërr me u ba bashkë me Saminë e me dal në sheshe, edhe me i ba partitë bashkë për besë nuk është kjo LDK-ja jonë”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka shtuar se votuesit e LDK-së dhe ata të partive të tjera kanë profile të ndryshme politike.
“I kanë votuesit e veçantë. Nuk dua t’i ofendoj. Tjetër brumë janë ata, tjetër brumë janë votuesit e LDK-së”, ka deklaruar Abdixhiku.
Sipas tij, një bashkim i tillë opozitar do të mund të prodhonte efekt të kundërt dhe t’i orientonte votuesit e LDK-së drejt Vetëvendosjes.



