
Kryetari i LDK-së thekson nevojën për rikthim te baza dhe unitet brenda partisë.
Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një vizitë në komunën e Vitisë, në kuadër të takimeve me strukturat dhe mbështetësit e partisë në terren.
Abdixhiku përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se përbashkimi i madh rreth LDK-së kërkon rikthim te baza dhe te njerëzit e partisë.
“Përbashkimi i madh rreth LDK-së kërkon rikthim te baza. Te njerëzit tanë. Te ata që nuk kërkojnë asgjë për vete, përveç unitetit dhe ringritjes sonë”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka theksuar se pikërisht për këtë arsye ka nisur ciklin e takimeve me anëtarësinë dhe simpatizantët e partisë nëpër komuna.
“Prandaj, kam nisur ciklin e takimeve në bazë. Qëndrova në Viti”, ka shtuar Abdixhiku.
Ai po ashtu bëri të ditur se gjatë këtyre takimeve ka dëgjuar dhe ka marrë mesazhe të qarta nga mbështetësit e partisë.
“Shqetësimet, pritjet dhe kërkesa për bashkim janë të njëjta kudo; dhe janë më të forta se kurrë. Dhe ky bashkim do të ndodhë. Jo vetëm si dëshirë, por si vullnet i njerëzve tanë. Si nevojë e kohës. Si rruga jonë përpara”, u shpreh kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.



