
Analisti politik Agon Maliqi ka kritikuar ashpër disa figura të shoqërisë civile në Kosovë, të cilat i ka cilësuar si “sharllatanë populistë dhe provincialë”.
Në një postim në Facebook, Maliqi i akuzoi ata për nxitje të militarizmit, gjuhë urrejtjeje ndaj pakicave dhe mbështetje të presionit ndaj mediave.
“Sharllatanët populistë dhe provincialë të shoqërisë civile në Kosovë, që i kanë fryrë militarizmit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj pakicave, dhe që e kanë duartrokitur shtypjen flagrante të lirisë së mediave në Kosovë në shërbim të dëshirave të Kurtit, kanë zero kredibilitet për t’i kërkuar llogari mediave sot për punën e tyre”, ka shkruar Maliqi.
Ai ka shtuar se disa prej këtyre figurave e kanë ndërtuar karrierën publike pikërisht në mediat që sot i kritikojnë.
“Karrierat sharllataneske i kanë ndërtuar në po ato studio televizive që sot i shajnë”, ka thënë ai.
Sipas Maliqit, ky fenomen është pjesë e një problemi më të gjerë që ai e quan “mjerim intelektual”, i cili sipas tij ka ndikuar negativisht në zhvillimin dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
“Mjerimi intelektual që e ka ngujuar Kosovën në një shtet pa perspektivë zhvillimi dhe integrimi me pjesën tjetër të Evropës e ka një adresë përgjegjësie”, ka deklaruar Maliqi.



