
Kreu i BDI-së tha se nuk ndien hidhërim për përfshirjen e Kurtit në fushatat zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, por e cilësoi të çuditshme zgjedhjen e tij për aleatë.
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka komentuar përfshirjen e kryeministrit të Kosovës dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, në fushatat zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar të pazakontë mbështetjen që ai u ka dhënë, siç tha Ahmeti, “njerëzve fare të panjohur dhe pa asnjë kontribut në Lëvizje apo në çështjen kombëtare.”
“Me aq entuziazëm dhe aq energji u vu në shërbim të njerëzve fare të panjohur dhe pa një kontribut në Lëvizjen dhe çështjen kombëtare. A e bëri për zili?! A e bëri për strategji për miq të rinj, siç e bëri mik Kristanin… nuk e di,” tha Ahmeti për Klan Kosova.
Megjithatë, ai theksoi se nuk është i hidhëruar me përfshirjen e Kurtit në dy fushata zgjedhore në vend, duke shtuar se beson që jo gjithë partia e Vetëvendosjes pajtohet me qëndrimet e tij.
“Edhe pse besoj që e gjithë partia e tij nuk pajtohet me qëndrimet e Albin Kurtit – sepse unë i njoh një pjesë të Vetëvendosjes,” shtoi Ahmeti.



