
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar pas seancës së sotme se Lëvizja Vetëvendosje, pas një mbledhjeje të vështirë mbrëmë, me shumicë votash vendosi t’i mbështesë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga PDK-ja dhe LDK-ja, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, raporton GazetaBlic.
Kurti tha se pret që ky konstruktivitet të reflektojë edhe në votimin për Presidentin, duke shpresuar që të shmangen zgjedhjet e reja, shkruan Gazeta Blic.
Ai u shpreh se nënkryetari i dytë i Kuvendit i takon PDK-së dhe se VV-ja do ta votojë menjëherë Çitakun sapo ajo të propozohet.
“Mbrëmë ne kemi pasur një mbledhje të vështirë të Lëvizjes Vetëvendosje, me të cilën me shumicë votash kemi marrë vendim për t’i votuar kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e PDK-së dhe LDK-së, përkatësisht zonjën Vlora Çitaku dhe zotëri Kujtim Shala.Shpresojmë që ky konstruktivitet i yni do të reflektojë edhe tek pjesëmarrja në votim dhe vota, qoftë edhe kundër, për President në mënyrë që të mos shkojmë në zgjedhje të reja”, tha Kurti.
“U bë mirë që u konstituua Kuvendi. Nënkryetari i dytë i Kuvendit të Republikës së Kosovës i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Në çdo moment që janë të gatshëm ta propozojnë zonjën Vlora Çitaku, ne menjëherë do ta votojmë. Urime të gjithëve konstituimi i Kuvendit”, shtoi ai.



