
Kryeministri kujton 27-vjetorin e bombardimeve, duke theksuar rolin vendimtar të aleatëve perëndimorë në çlirimin e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e nisjes së fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavi, duke e cilësuar atë si moment kyç që ndali gjenocidin dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Në një deklaratë publike, Kurti rikujtoi se më 24 mars 1999, aleanca veri-atlantike, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisi operacionin ajror kundër forcave ushtarake dhe policore të regjimit të Slobodan Miloshevic, pasi ky i fundit refuzoi marrëveshjet diplomatike për ndaljen e dhunës në Kosovë.
Ai theksoi se ndërhyrja erdhi pas një periudhe të gjatë përpjekjesh diplomatike dhe pas refuzimit të vazhdueshëm të Beogradit për të ndalur operacionet kundër popullsisë civile.
Sipas Kurtit, megjithëse bombardimet zgjatën 78 ditë e netë dhe përfunduan më 10 qershor 1999 me Marrëveshjen e Kumanovës, gjatë kësaj kohe forcat serbe intensifikuan dhunën në terren, duke dëbuar qindra mijëra shqiptarë dhe duke vrarë mijëra civilë.
Ai shtoi se ndërhyrja e NATO-s, e pasuar nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe hyrja e trupave ndërkombëtare në qershor të vitit 1999, solli lirinë dhe hapi rrugën për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Në fund, Kurti shprehu mirënjohje për të gjitha vendet e NATO-s dhe veçanërisht për rolin e SHBA-së, duke theksuar se mbështetja e tyre ishte vendimtare për lirinë, demokracinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.



