
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Reiner Rudolph, ka bërë thirrje të respektohet aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Specialja të mërkurën dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin për krime lufte, me 18 vjet burgim Kadri Veselin e 13 vjet Rexhep Selimin.

Në një postim në rrjetin social “Bluesky”, ambasadori gjerman ka thënë se kryetari i trupit gjykues e ka bërë të qartë gjatë shpalljes së aktgjykimit se UÇK-ja nuk ishte në gjyq dhe as qëllimi i saj për një Kosovë të pavarur.
“Gjermania e ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara që nga fillimi, me bindjen se ato përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në përballjen me krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në përafrimin e mëtejshëm të Kosovës me Bashkimin Evropian. Me themelimin e Dhomave të Specializuara dhe bashkëpunimin me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), Kosova ka dëshmuar se po përmbush përgjegjësinë e saj, përfshirë përballjen me krimet e luftës, si një shtet i pavarur dhe sovran”, ka shkruar Rudolph.



