
U diskutuan prioritetet e qeverisë së ardhshme, sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe integrimi i Kosovës në BE dhe NATO.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim të përbashkët ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.
Sipas një komunikate për media, takimi është zhvilluar dje dhe në të janë trajtuar çështjet aktuale politike, përmbyllja e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit, si dhe hapat për formimin e institucioneve të reja.
Në fokus të diskutimeve ishin edhe prioritetet e qeverisë së ardhshme dhe bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët mes Kosovës, Suedisë dhe Britanisë.
Gjatë takimit, Kurti theksoi përkushtimin e tij ndaj sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, pa diskriminim dhe pa privilegje, për të gjithë qytetarët dhe komunitetet. Ai veçoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së qëndrueshme ekonomike, progresit shoqëror dhe avancimit demokratik.
Kryeministri në detyrë nënvizoi edhe angazhimin e institucioneve për paqe dhe siguri, ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e kufijve, si dhe vazhdimin e rrugës drejt integrimit euroatlantik, përkatësisht anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.



