
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për emërimin e zëvendësministrave në një kohë kur qeveria është në dorëheqje.
Sipas Bajramit, në një situatë të tillë ministrat kanë kompetenca të kufizuara dhe nuk punojnë me kapacitet të plotë, prandaj emërimet e reja nuk kanë arsyetim funksional.
Ajo ka ngritur dyshime se këto emërime po bëhen për përfitime financiare nga buxheti i shtetit, e jo për nevoja reale të punës.
“Kjo është zhvatje e buxhetit – është abuzim me pozitën zyrtare”, ka deklaruar ajo.
Postimi i saj i plotë:
Qeveria është në dorëheqje
Kur një qeveri është në dorëheqje, ministrat kanë kompetenca të kufizuara dhe nuk punojnë me kapacitet të plotë. E pikërisht në këtë situatë Kurti po emëron zëvendësministra.
Për çka?
Jo për punë, sepse s’ka punë, as s’ka ndonjë nevojë urgjente, po i emëron që të marrin pagë nga buxheti i shtetit, pa bërë asgjë.
Kjo është zhvatje e buxhetit – është abuzim me pozitën zyrtare.
Dhe dëmi nuk është vetëm te paratë që po shpenzohen sot. Dëmi është te standardi që LVV-ja ka vendosë: me trajtu shtetin si pronë paritiake, si mjet për me i shpërbly militantët.
Këto standarde të ulëta kanë me i kushtu shumë e gjatë këtij vendi.
Është koha të shkoni në opozitë se e keni grryer shtetin.



