
Aktori i njohur, i zgjedhur deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar pasi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, propozoi Hashim Thaçin për President të Kosovës.
Ai e ka cilësuar propozimin si të parealizueshëm, ndërsa ka thënë se deklaratat e tilla janë, në rastin më të mirë, “injorancë totale” e në të kundërtën “mashtrim publik”.

“Të thuash se Thaçi do të kthehet si President i Kosovës, apo ta propozosh atë për këtë post, është, në rastin më të mirë, injorancë totale; nëse nuk është mashtrim publik përmes deklaratave të papërgjegjshme.
Çdo njeri sadopak i informuar e di se një gjë e tillë nuk është e saktë dhe nuk mund të realizohet.
Prandaj, këto lojëra me fjalë nuk janë asgjë më shumë se deklarata publike të papërgjegjshme, me të cilat tentohet të hutohet një pjesë e vogël e shoqërisë, ndërkohë që shumica dërrmuese e qytetarëve e di tashmë se kjo është e pamundur”, ka shkruar ai.
Deputeti i VV-së ka kritikuar më tej opozitën, duke thënë se roli i saj është të kritikojë dhe të propozojë alternativa, e jo, sipas tij, ta mashtrojë opinionin.
“Sa më e humbur të jetë opozita në rolin e saj opozitar, aq më shumë barrë i shton vendit. Opozita është aty për të kritikuar dhe për të propozuar alternativa, e jo për ta mashtruar publikisht opinionin.
Deklaratat e fundit rreth kësaj teme janë vetem një mashtrim i hapur”, ka shkruar ai.



