Bashkimi Evropian ka pezulluar fondin e Planit të Rritjes për Serbinë, ka bërë të ditur komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos.
Ajo ka akuzuar Serbinë për regres në reformat gjyqësore, ka raportuar “France Presse” të premten.
Deklarata u dha gjatë një konference në Zvicër, pasi Parlamenti i Serbisë miratoi reformat në gjyqësor pa u konsultuar fare me prokurorinë, gjykatat, BE-në apo ekspertë të tjerë.
Sipas kritikëve të vendimeve, të miratuara në janar, thonë se ajo u jep kryetarëve të gjykatave autoritet mbi gjyqtarët dhe e eliminon garancinë për sistem të pavarur të drejtësisë, duke nxitur shqetësime në BE dhe Këshill të Evropës.
“Për momentin i kemi suspenduar të gjitha pagesat nga Plani i Rritjes sepse ka pasur hap prapa në fushën e drejtësisë”, ka thënë ajo kur është pyetur për Serbinë. “Derisa kjo të përmirësohet, nuk do të jenë në gjendje ta shfrytëzojnë mbështetjen e BE-së”, ka thënë ajo gjatë fjalimit në Universitetin e Freiburgut në Zvicër.
Edhe Komisioni i Venecias ka vlerësuar se me ndryshimet në ligjet për gjyqësorin në Serbi janë hequr mbrojtjet ekzistuese të autonomisë së prokurorisë. Ai dha 9 rekomandime që BE-ja pret të zbatohen nga Serbia.
Serbia ka të drejtë në gati 1.6 miliardë euro për periudhën trivjeçare 2024-2027 nga Plani i Rritjes.
Serbia nga kësti i parë ka marrë 61.1 milionë euro apo pak mbi gjysmën e shumës së synuar për shkak se nuk i ka përmbushur të gjitha reformat e planifikuara. Deri tash ky shtet ka marrë 167 milionë euro.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është iniciativë e Bashkimit Evropian, e miratuar në fund të vitit 2023, me qëllim përshpejtimin e afrimit ekonomik të rajonit me BE-në dhe mundësimin e qasjes graduale të tij në pjesë të tregut të përbashkët, para anëtarësimit të plotë. BE-ja i ka ndarë 6 miliardë euro për këtë program për periudhën 2024-2027.
Edhe Kosova rrezikon të humbë miliona euro të planifikuara nga Plani i Rritjes, nëse deri në fund të qershorit të këtij viti nuk i përmbush hapat në reforma.
Marta Kos ka konfirmuar ditë më pare në një debat në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian se u ka dërguar letër të gjitha gjashtë vendeve të rajonit ku ka tërhequr vërejtjen për nevojën që t’i përshpejtojnë reformat në mënyrë që të përfitojnë nga fondet e parapara nga Plani i Rritjes.
Nga BE-ja kanë rikujtuar se afati gri për hapat të cilat është dashur të përmbushen në mesin e vitit 2025, skadon me 30 qershor të këtij viti. E nëse afatet nuk respektohen partnerët rrezikojnë të humbin mbi 700 milionë euro së bashku.
Kosova sapo ka nisur javën e shkuar të marrë pagesat e para nga parafinancimi nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Edhe këto mjete të para për Kosovën nisën të paguhen pas shumë vonesave të shkaktuara nga ngërçi politik në vitin 2025 në Kosovë, kur nuk kishte mundësi për ratifikim të marrëveshjeve për kredi dhe mjete mes Kosovës dhe BE-së në Kuvendin e Kosovës. Sipas një përllogaritjeje, Kosova në qershor do të humbë 68.8 milionë euro.
Sipas një tabele për monitorimin e përmbushjes së kushteve nga Plani i Rritjes, Kosova nuk e ka përmbushur asnjë nga 111 hapat e paraparë me këtë plan.
Nga Plani i Rritjes Kosova parashihej të përfitonte rreth 880 milionë euro./KOHA



