
Deputetja e PDK-së thotë se Kosova po mbetet pa drejtim strategjik dhe aleanca të konsoliduara.
Deputetja Vlora Çitaku ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas deklaratave të tij se çështjet gjeopolitike duhet të trajtohen edhe nga e majta evropiane dhe jo vetëm nga e djathta politike.
Çitaku e ka quajtur të gabuar qasjen e tillë, duke theksuar se gjeopolitika është çështje serioze që kërkon vizion shtetëror, aleanca të forta dhe strategji të qartë, e jo trajtim ideologjik apo partiak.
Sipas saj, Kosova po përballet me mungesë të drejtimit strategjik dhe ka mbetur pa rezultate konkrete në rrafshin ndërkombëtar.
Ajo ka shtuar se vendi po vuan nga mungesa e njohjeve të reja, aleancave të konsoliduara dhe orientimit të qartë në politikën e jashtme, duke theksuar se shteti nuk mund të udhëhiqet me “ligjërata boshe për konsum politik”.
Çitaku ka kritikuar gjithashtu situatën e brendshme institucionale dhe ekonomike, duke përmendur sfida në institucione, energji dhe emigrim të të rinjve.
Postimi i plotë:
Sa tragjik aq edhe qesharak. Sepse një njeri që ka lënë vendin pa zgjidhje, pa aleatë të konsoliduar, pa njohje të reja dhe pa drejtim të qartë strategjik, sot sillet si profesor i gjeopolitikës. Ndërkohë, Kosova vazhdon të paguajë çmimin e një qasjeje primitive, provinciale dhe ideologjike ndaj botës.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Kosova sot është pa President funksional, pa Kryeprokuror të emëruar, jashtë NATO-s dhe jashtë Bashkimit Evropian, pa siguri energjetike, me inflacion të lartë dhe me një valë shqetësuese emigrimi të të rinjve. Pra, pa bosht të brendshëm institucional dhe pa ankorim të jashtëm strategjik.
Shteti nuk mbahet me poza morale, as me ligjërata boshe për konsum partiak. Shteti mbahet me urtësi, aleanca, vizion dhe me kuptim të saktë të interesit kombëtar. E këtë, fatkeqësisht, ky pushtet nuk e ka dëshmuar asnjëherë.



