Cristiano Ronaldo paralajmëron pensionimin: Së shpejti do të tërhiqem nga futbolli

Ylli portugez i Al Nassr pranon se do ta ketë të vështirë t’i japë fund karrierës së tij të jashtëzakonshme, ndërsa thotë se ka vite që po përgatitet për jetën pas futbollit.

Cristiano Ronaldo ka paralajmëruar se fundi i karrierës së tij po afrohet, duke thënë se do të tërhiqet “së shpejti” nga futbolli profesionist. Në një intervistë për “Piers Morgan’s Uncensored”, 40-vjeçari pranoi se ndarja nga loja që e bëri legjendë nuk do të jetë e lehtë.

“Mendoj se do të jem i përgatitur. Do të jetë shumë, shumë e vështirë,” tha Ronaldo, i cili theksoi se ka filluar të planifikojë të ardhmen e tij që në moshën 25 vjeç. “Asgjë nuk mund të krahasohet me adrenalinën që ndjen kur shënon një gol në futboll. Por çdo gjë ka një fillim dhe një fund. Do të kem më shumë kohë për veten time, familjen dhe fëmijët.”

Sulmuesi i Al Nassr është golashënuesi më i mirë në histori, me 952 gola për klub dhe kombëtare, dhe muajin e kaluar kishte deklaruar se synon të arrijë shifrën e 1,000 golave para se të pensionohet.

Ronaldo foli edhe për ish-klubin e tij Manchester United, duke thënë se ende e ndjek me interes, pavarësisht ndarjes së pakëndshme tri vite më parë. Ai u shpreh i trishtuar për gjendjen aktuale të klubit, i cili sezonin e kaluar përfundoi në vendin e 15-të – rezultati më i dobët që nga rënia nga kategoria në vitin 1974.

“Jam i trishtuar, sepse United është një nga klubet më të rëndësishme në botë dhe ende e kam në zemër. Por ata nuk kanë strukturë. Shpresoj që kjo të ndryshojë, sepse potenciali i klubit është i jashtëzakonshëm. Ata nuk janë në rrugën e duhur. Dhe kjo nuk është vetëm çështje trajneri apo lojtarësh. Ai po bën më të mirën e tij – por mrekullitë janë të pamundura,” tha Ronaldo, duke iu referuar trajnerit Ruben Amorim.

Back to top button