
Ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar ndaj protestës së fermerëve, të cilët derdhën qumësht në rrugë dhe lumenj si shenjë pakënaqësie për uljen e çmimit dhe mungesën e mbështetjes institucionale.
“Është për keqardhje pamjet e derdhjes së qumështit në lumenj e në rrugë, e kjo për shkak të uljes së çmimit dhe mungesës së vizionit për t’i përkrahur prodhuesit vendorë”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Ai kritikoi edhe ndarjen e fondeve publike për organizatat joqeveritare, duke e lidhur këtë me situatën e fermerëve.
“Sot po mbizotëron lajmi i ndarjes së 350 milionë eurove për organizatat joqeveritare të afërta me pushtetin dhe në të njëjtën kohë, fermerët protestojnë për mos trajtim. Kjo nuk do koment”, tha ai.
Haradinaj kërkoi masa të menjëhershme për mbështetjen e fermerëve dhe rikujtoi taksën 100% ndaj produkteve serbe si shembull të mbështetjes për prodhuesit vendorë.



