Djali i Hashim Thaçit dhe djali i Kadri Veselit i dalin në përkrahje Arian Tahirit për Kryetar të Mitrovicës

Djemtë e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit u panë së bashku në një tubim të Arian Tahirit, ku morën pjesë familje dëshmorësh, invalidë dhe veteranë të UÇK-së.

Në prag të zgjedhjeve lokale, për herë të parë në një ngjarje publike të fushatës u panë së bashku Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli, djemtë e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli. Ata morën pjesë në tubimin përmbyllës të Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, ku kandidati për kryetar të komunës, Arian Tahiri, prezantoi vizionin e tij për qytetin.

Në mesin e familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, Tahiri tha se ishte i nderuar të qëndronte pranë djemve të dy figurave kryesore të luftës dhe shtetndërtimit në Kosovë. “U nderova që isha bashkë me Endritin dhe Klestorin, djalin e Hashim Thaçit dhe djalin e Kadri Veselit. Liria është e shenjtë dhe detyra jonë është ta nderojmë me vepra të mira”, theksoi ai.

Pjesëmarrja e tyre u prit me duartrokitje dhe thirrje “UÇK, UÇK” nga të pranishmit, duke e kthyer tubimin në një manifestim simbolik të unitetit dhe përkujtimit të sakrificës për liri. Ky moment shihet si një sinjal i fuqishëm i mbështetjes së brezit të ri të familjeve të Thaçit e Veselit për PDK-në dhe për vazhdimin e trashëgimisë politike të prindërve të tyre.

Back to top button