
Nënkryetarja e Kuvendit paralajmëron pasojat e një mosmarrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e minoriteteve, Emilia Rexhepi, ka deklaruar se një proces i ri zgjedhor do të ishte shumë i kushtueshëm dhe i lodhshëm për qytetarët e Kosovës. Deklarata e saj erdhi pas rrezikut që vendi të shkojë sërish në zgjedhje, për shkak të mungesës së dakordimit për postin e presidentit.
“Sa më parë që kemi vendim nga Gjykata, hapet mundësia për formim të institucioneve dhe e kemi vendimin e presidentes dhe këtu merr fund krejt çka mendonim të përfundonim, për shkak se unë isha vetë në takim me presidenten kur na thirri. Aty madje u fol për datën e zgjedhjeve që duhet të mbahet brenda 45 ditëve nga shpërndarja e Kuvendit”, tha Rexhepi në Info Magazine të Klan Kosovës.
Ajo shtoi: “Nuk e di se si do të rrjedhë situata, por jemi të gjithë të detyruar të respektojmë Kushtetutën. Sa më parë të formojmë institucionet dhe të votojmë presidentin; në të kundërtën, shkojmë në zgjedhje që do të na kushtojnë shumë dhe do të jenë një maltretim për qytetarët”.
Rexhepi theksoi gjithashtu se kishte pritur një kompromis mes Vetëvendosjes dhe PDK-së, me përkrahjen e pakicave, por kjo nuk u arrit.



