
Ka nisur protesta e qytetarëve para Kryeministrisë në Shqipëri teksa këtë të shtunë shënohet dita e 28-të e protestës. Protestuesit shihen me pankarta dhe flamuj në duar, shkruan Reporteri.
Pavarësisht temperaturve të larta ata kanë vijuar protestën e tyre teksa bëjnë thirrjen e tyre të përsëristur prej ditësh për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
‘Rama në burg, Berisha në burg’, ‘Rama jepe dorëhqjen’, ‘Shqipëria nuk shitet’, janë disa nga thirrjet dhe pankartat që brohorasin qytetarët.
Grumbullimi i protestuesve si çdo herë tjetër, nisi në orën 19:00 në Sheshin “Skënderbej” për shkak të temperaturave të larta. Ata vijojnë thirrje për përmbushjen e kërkesave të tyre. E pranishme në protestë është edhe eurodeputetja italiane, Ilaria Salis. Ajo gjatë fjalës së saj theksoi se Europa nuk është në Bruksel, sipas saj Europa është në Tiranë.
Salis shtoi ndër të tjera se kjo protestë është një shembull për të marrë në dorë fatet dhe mos të lejojnë që oligarkët të vendosin për vendin pasi sipas saj Shqipëria nuk është në shitje.
Fjalimi i saj është pritur me brohoritje të jashtëzakonshme, teksa ajo e cilësoi lëvizjen qytetare në Shqipëri si një model kuraje për mbarë Evropën. Salis u shpreh se në këto rrugë, në emër të asaj që e quajti “revolucioni i flamengove”, po shihet një Evropë më e mirë sesa ajo e Brukselit.



