
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se raportet mes VV-së dhe Vjosa Osmanit nisën të ftoheshin gjatë vitit 2024, duke përmendur deklaratat e saj publike si moment të ndarjes politike.
Në emisionin “Debat Plus”, Konjufca tha se fjalimi i Osmanit në fund të vitit 2024 ishte “goditje e hapur” ndaj Qeverisë së Albin Kurtit.
“Për deklaratën e saj në dhjetor të vitit 2024 aty më ka dukur se Vjosa Osmani e ka bërë një ndarje”, deklaroi ai.
Sipas Konjufcës, vitet 2022 dhe 2023 kishin qenë më të mira në bashkëpunimin mes VV-së dhe Osmanit, por më pas rrugët politike u ndanë.
“Ajo ishte reflektim i vitit 2024 sepse viti 2022-2023 ka shkuar më mirë në bashkëpunim me të”, tha ai.
Konjufca shtoi se LVV-ja nuk e ka parë të arsyeshme ta mbështesë një presidente që, sipas tij, do të vazhdonte ta godiste Qeverinë.
“Pse me ia dhënë Kosovës një presidente e cila me siguri të madhe do ta dinim që do ta godiste qeverinë në vazhdim”, deklaroi ai.
Ai tha gjithashtu se jo të gjitha arsyet e ndarjes me Osmanin do të bëhen publike, pasi sipas tij, LVV-ja nuk i përdor “bisedat sensitive shtetërore” si armë të fushatës zgjedhore.



