
Kandidati për deputet i AAK-së, Daut Haradinaj, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se partia e tij nuk ka qenë asnjëherë bllokuese në proceset politike dhe se ka ofruar zgjidhje për votimin e kryetarit të Kuvendit.
Ai tha se situata politike tani është e re dhe se të gjitha partitë po punojnë në terren, duke shprehur bindjen se AAK nuk do të jetë faktor bllokues as në mandatin e ardhshëm.
“Në asnjëherë nuk kemi qenë bllokues, kemi bërë oferta për të votuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Tash është situatë e re dhe besoj që nuk do të jemi bllokues në mandatin e ardhshëm,” u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se rezultatet zgjedhore shpesh sjellin befasi dhe se edhe rezultati i Albin Kurti në të kaluarën ka qenë i papritur për shumëkënd.
“Jam i bindur që do të jemi befasi. Zgjedhjet janë befasuese, edhe rezultati i Kurtit ka qenë befasi. Unë çka po shoh në terren është ndryshim,” tha ai.
Haradinaj përmendi gjithashtu pritje të larta elektorale, duke sugjeruar se mbështetja për AAK-në mund të jetë mbi 60% në disa zona, sipas tij.



