Haxhiu u bën thirrje shqiptarëve të Luginës: Votoni listën e përbashkët, Kosova është me ju

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, 
Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të së dielës dhe ta mbështesin listën e përbashkët shqiptare.

Haxhiu ka vlerësuar se zgjedhjet e 25 tetorit përbëjnë një moment të rëndësishëm për përfaqësimin politik të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.

“Nesër është një ditë e rëndësishme për Luginën. Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit do të votojnë për përfaqësuesit e tyre në parlament”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, partitë shqiptare e kanë kryer pjesën e tyre të përgjegjësisë duke vendosur të garojnë së bashku në listën “Koalicioni Shqiptar”.

“Partitë shqiptare atje tashmë e kanë bërë punën e tyre, duke vendosur të garojnë bashkë, me një listë të vetme, ‘Koalicioni Shqiptar’. Tani është radha e qytetarëve në Luginë ta mbështesin fuqishëm këtë bashkim”, ka deklaruar Haxhiu.

Kryetarja e Kuvendit ka theksuar se Kosova i përcjell me vëmendje zhvillimet në Luginën e Preshevës dhe mbetet e interesuar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve atje.

“Kosova i ndjek me vëmendje të veçantë zhvillimet në Luginë. Përfaqësimi politik i shqiptarëve atje, mbrojtja e të drejtave të tyre dhe ngritja e zërit për çdo padrejtësi që u bëhet mbeten gjithmonë të rëndësishme për ne”, ka shkruar ajo.

Haxhiu u ka bërë thirrje edhe shqiptarëve të Luginës që jetojnë në Kosovë dhe kanë të drejtë vote, që të udhëtojnë për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Nesër, zëri i Luginës dëgjohet përmes fletëvotimit, me votën për numrin 17, ‘Koalicionin Shqiptar’. Luginë, Kosova është me ty!”, ka përfunduar Haxhiu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.