
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj raportimeve ndërkombëtare për gjendjen ekonomike në Kosovë, duke thënë se propaganda për “zhvillim ekonomik” nuk përputhet me realitetin që përjetojnë qytetarët.
“Derisa Kurti qe gjashtë vjet e ka gojën plot propagandë për ‘zhvillim e lulëzim ekonomik’, vendi ynë po përballet me varfëri të thellë”, shkroi Bajrami.
Ajo iu referua të dhënave të Bankës Botërore dhe FMN-së, duke thënë se Kosova vazhdon të ketë nivel të lartë të varfërisë ekstreme krahasuar me vendet e rajonit.
“Sipas databazës zyrtare të Bankës Botërore, Kosova del me 10% varfëri ekstreme, ndërsa Serbia me 1.1%, Shqipëria me 0.3%, Bosnja me 0.3%, Mali i Zi me 2.5% dhe Maqedonia e Veriut me 3.9%”, deklaroi ajo.
Bajrami tha se rritja e çmimeve dhe inflacioni po e rëndojnë jetën e qytetarëve.
“Në prill, norma e inflacionit ishte 7.5%, ndërsa për shumë artikuj bazikë rritja e çmimeve është edhe më e lartë”, u shpreh ajo.
Sipas saj, qytetarët po përballen me humbje të fuqisë blerëse dhe rritje të varësisë nga kreditë.
Në fund, Bajrami kërkoi debat për programe ekonomike dhe zhvillim real.
“Më 7 qershor duhet të votojmë me bindje. Duhet të dalim nga rrethi vicioz i propagandës dhe autokracisë”, përfundoi ajo.



