
Aktivistja nga Serbia tha në Rubikon se prezantimi i të dhënave duhet të bazohet në prova të verifikueshme dhe në shpjegim të qartë të kontekstit historik.
Aktivistja për të drejtat e njeriut nga Serbia, Natasha Kandić, ka komentuar ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila ka nxitur reagime të shumta publike në Kosovë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ajo theksoi se trajtimi i ngjarjeve të luftës duhet të bëhet me kujdes dhe të mbështetet në të dhëna të verifikueshme.
Sipas saj, është e rëndësishme që të kuptohet saktë konteksti i të dhënave dhe termave që përdoren në dokumentim.
“Është shumë e rëndësishme të zbulohen të dhëna që janë me të vërtetë të verifikueshme dhe që dëshmojnë njohurinë se çka nënkupton i burgosur, çka nënkupton kur është i privuar nga liria dhe çka nënkupton kur në një databazë është i përmendur si të ishte ushtar”, tha Kandiq.
Ajo u shpreh kritike edhe për mënyrën se si është realizuar ekspozita, duke thënë se sipas saj mungon një qasje profesionale në prezantimin e materialeve. Kandiq përmendi në veçanti rastin e burgut të Burgu i Dubravës, duke thënë se në ekspozitë është vendosur një fokus më i madh te numrat sesa te shpjegimi i rrethanave dhe përgjegjësive.
“Ajo çfarë kam parë në atë ekspozitë, jo vetëm për Dubravën, por edhe për raste të tjera, tregon një mosdije se si të realizohet një ekspozitë – të mos përqendrohet vetëm në numra, por të tregojë edhe historitë e njerëzve dhe rrethanat se si kanë pësuar”, tha ajo.
Kandiq shtoi se është e rëndësishme të bëhet dallimi mes kategorive të ndryshme të personave të përfshirë në luftë, duke theksuar se sipas saj duhet të dallohen ushtarët, luftëtarët dhe mbështetësit politikë të UÇK-ja.



