
Vendimi me vetëm dy vota për dhe shtatë abstenime ka nxitur kritika të forta ndërkombëtare, të cilat paralajmërojnë politizim të procesit zgjedhor dhe rrezikim të imazhit të Kosovës si demokraci multietnike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar sërish të certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Vendimi u mor me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, duke shënuar herën e tretë brenda këtij viti që partia më e madhe e serbëve të Kosovës nuk certifikohet në votimin fillestar.
Reagimet ndërkombëtare nuk kanë munguar. Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, paralajmëroi se veprimet e tilla “kërcënojnë ta shkatërrojnë reputacionin e fituar me mund të Kosovës si demokraci multietnike” dhe se rrezikojnë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Ai u shpreh se pret që PZAP-ja të rishqyrtojë këtë vendim.
Misioni i OSBE-së në Kosovë e cilësoi vendimin si devijim nga standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve dhe shenjë të politizimit në rritje brenda KQZ-së. “Kjo sjellje minon paanshmërinë dhe besueshmërinë e një organi të pavarur zgjedhor”, u tha në reagimin e tyre.
Edhe Bashkimi Evropian shprehu keqardhje, duke theksuar se vendimi tregon politizim të procesit zgjedhor nga Lëvizja Vetëvendosje dhe parti të tjera, duke cenuar parimet e një procesi të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Ambasada e Italisë në Prishtinë po ashtu reagoi, duke nënvizuar rëndësinë e sigurimit të kushteve që të gjitha subjektet politike të kenë mundësi të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në zgjedhje.
KQZ-ja ka refuzuar Listën Serbe edhe në dy procese të mëparshme — në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe në ato lokale të 12 tetorit — vendime që më pas janë rrëzuar nga PZAP-ja, duke i lejuar kësaj partie pjesëmarrjen në zgjedhje.
Ndërkohë, në këtë mbledhje, KQZ certifikoi 22 nga 24 subjektet që aplikuan për zgjedhjet e dhjetorit, ndërsa Nisma Socialdemokrate mori afat deri më 3 dhjetor për plotësimin e listës së nënshkrimeve.




