
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë kritikuar vendimin për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të tetorit. Alban Krasniqi nga LVV u shpreh kritik edhe ndaj ambasadave të shteteve të QUINT-it, duke thënë se ato i kanë dalë në mbrojtje “organizatave kriminale”.
Gjatë mbledhjes së KQZ-së më 1 shtator, Krasniqi theksoi se, pavarësisht vendimit të formës së prerë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe të Gjykatës Supreme, ai mendon se certifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet e 12 tetorit do të dëmtojë demokracinë.
“Në komunat ku Lista Serbe pretendon të garojë, aty nuk do të ketë demokraci. E dinë prej ambasadorit e përfaqësuesit të BE-së, e gjithë këta të tjerët që janë të QUINT-it, e dinë shumë mirë sepse vetë e kanë deklaruar me radhë. Por, edhe ata fatkeqësisht janë duke u vënë në mbrojtje të organizatave kriminale në vend për hesape të tyre të ngushta apo edhe të karrierës së tyre politike”, tha Krasniqi, percjell REL.
Ai shtoi se me certifikimin e Listës Serbe, institucionet e drejtësisë kanë dështuar, ndërsa Qeveria dhe organet e sigurisë kanë kryer detyrat e tyre.
“Për mua Lista Serbe vazhdon të jetë një organizatë kriminale, me baza dhe përmasa të një organizimi terrorist dhe unë nuk mund ta pranoj si pjesë të sferës politike”, deklaroi Krasniqi.



