
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të propozuar Bekim Sejdiun kandidat për president është valide, shkruan KOHA.
Por, ai ka thënë se pas ngjarjeve të së martës, ku gjashtë deputetë të LDK-së kanë thënë se nuk e përkrahin këtë kandidaturë, ai duhet të takohet sërish me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku por edhe me Kryesinë e Vetëvendosjes.

Kurti ka thënë se në Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes mbështetja ishte e plotë për Bekim Sejdun.
“Natyrisht kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të orëve të fundit, ku në njërën anë ishte shpresëdhënës qëndrimi i Kryesisë së LDK-së për mbështetje të plotë për profesor Bekim Sejdiun si emër për president që u pajtuam dy subjektet. Por, më pas patëm njoftimin negativ që gjashtë deputetë nga 18 sa i ka LDK-ja nuk e mbështesin profesor Bekim Sejdiun për president të Republikës së Kosovës. Është situatë e re që kërkon që në njërën anë të takohemi përsëri me kreytarin e LDK-së por edhe me Kryesinë e Vetëvendosjes”, tha Kurti.



