
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë hedhur poshtë kritikat e Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë për trajtimin e dorëheqjeve të gjyqtarëve e prokurorëve serbë. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë këmbëngulur se rikthimi i tyre nuk lejohet me ligj, dhe i kanë cilësuar dorëheqjet si akt politik të nxitur nga Serbia. Haxhiu ka thënë se ka informata se ata ende paguhen nga shteti serb
Përfaqësuesit më të lartë shtetërorë u janë kundërvënë kritikave të ndërkombëtarëve, që kanë shprehur shqetësimin për lirimin nga detyra të prokurorëve serbë të cilët kanë paraqitur dorëheqjet rreth 4 vjet më parë, si dhe kanë shprehur shqetësimin për “presion politik” ndaj Këshillit Gjyqësor (KGJK) për të vepruar njëjtë edhe me gjyqtarët e dorëhequr.
Para se të dështonte mbledhja e KGJK-së, e cila e kishte në rend dite edhe kërkesën e ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, që të trajtoheshin dorëheqjet të cilat qëndronin në sirtarë prej vitesh, ajo i bëri thirrje sërish këtij institucioni që të veprojë në përputhje me praktikat e deritanishme lidhur me lirimin nga detyra të gjyqtarëve që kanë dhënë dorëheqje.

Haxhiu, në një konferencë shtypi, ka thënë se ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët e komunitetit serb nuk mund të rikthehen në punë sepse nuk ua lejon ligji, ndërsa ka theksuar se përgjatë mandateve të tyre ata kanë marrë direktiva nga Serbia.
Ajo ka theksuar se asnjë shtet demokratik nuk do ta pranonte një situatë ku gjyqtarë e prokurorë të “dirigjohen” nga një shtet tjetër.
Haxhiu u ka reaguar shteteve partnere që kanë kërkuar rikthimin e ish-gjyqtarëve e ish-prokurorëve serbë duke u thënë se asnjë nuk do të vendoste për diçka që është në kundërshtim me ligjin.
“Referuar të dhënave që kam, ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë dhe stafi kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë nga Serbia. Pjesa dërrmuese e tyre kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë mjete financiare në forma të ndryshme nga Serbia që nga viti 2017 deri tash. Edhe gjatë kohës sa kanë qenë prokurorë dhe gjyqtarë janë paguar nga Serbia”, ka thënë Haxhiu. “Lojaliteti i dëshmuar për Serbinë është shpërblyer edhe me mjete financiare në kohën kur është pritur që ata të ushtrojnë mandatin në dobi të qytetarëve në interes të Republikës së Kosovës”.
Haxhiu deklaroi se ka dëshmi se një pjesë nga ish-gjyqtarët e prokurorët kanë kryer aktivitete të tjera të paligjshme në shërbim të strukturave ilegale serbe në veri duke rënë ndesh me rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës.
“Ka shumë raste ku ish-gjyqtarë dhe prokurorë kanë marrë pjesë në takime në Serbi dhe Kosovë ku janë diskutuar plane dhe janë marrë veprime, përfshirë bllokimin e rrugëve për të kundërshtuar institucionet e Kosovës. Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia, në shumë raste administrimi i drejtësisë ka dështuar në të kaluarën në veri. Ka dyshime të bazuar që ato veprime kanë qenë të qëllimshme dhe të instrukturuara nga qarqe të lidhura me krimin dhe pushtetin në Serbi”, ka thënë Haxhiu.
Deklaratat ajo i bëri para se të dështonte mbledhja e KGJK-së, që në rend dite kishte kërkesën e haxhiut për t’i shqyrtuar dorëheqjet.
Uroj që KGJK sot të veprojë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe obligimet që kanë. Pas kërkesave të tyre për lirim nga detyra, menjëherë do të nënshkruaj dekretet për pushimin e mandatit të tyre. Nuk dua të mendoj situatë tjetër se njëmend do të jetë e paprecedent, shumë e rëndë dhe shumë e rrezikshme”, deklaroi Haxhiu.
Haxhiu ka deklaruar se është diskutuar edhe lidhur me hapat tutje nëse nga KGJK-ja del vendimi për rikthimin e ish-gjyqtarëve.



