
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se krijimi i Xhandarmërisë është i domosdoshëm për të adresuar sfidat aktuale të sigurisë dhe për të plotësuar boshllëkun mes Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Duke folur për situatën e sigurisë, Kurti ka thënë se ajo po evoluon me shpejtësi dhe se kërcënimet aktuale nuk janë të njëjta me ato të një dekade më parë.
Gjendja e sigurisë po evoluon me shpejtësi. Kërcënimet me të cilat përballemi sot nuk janë ato të një dekade më parë. Sfidat kryesore përfshijnë grupe të armatosura paraushtarake dhe kapacitete superiore ndaj atyre policore, kontrabandë të vazhdueshme me armë e mallra që cenojnë sigurinë përgjatë vijës kufitare, si dhe infiltrime të grupeve të armatosura që kërcënojnë sovranitetin tonë”, u shpreh Kurti në një konferencë për shtyp të enjten bashkë me ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.
Ai përmendi gjithashtu përdorimin e teknologjive moderne, përfshirë dronët, në sulme ndaj sovranitetit të Kosovës dhe për këtë shprehu nevojën për mbikëqyrje të vazhdueshme të terrenit dhe infrastrukturës kritike.
Sipas tij, Policia e Kosovës po kryen punë të jashtëzakonshme, por ka mandat të kufizuar në ruajtjen e rendit publik dhe luftimin e krimit.
“Kemi pasur sulme të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, veçanërisht në veri, ndaj institucioneve të Kosovës, Policisë, qytetarëve dhe misioneve ndërkombëtare. Kjo tregon se grupet e armatosura me organizim paraushtarak kanë rrezikuar dhe mund të rrezikojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.



