
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Peja ka dhënë mesazh të qartë mbështetjeje për partinë e tij gjatë tubimit të mbajtur në këtë qytet.
“Një shesh plot njerëz. Plot energji. Plot besim. Një qytet që foli qartë dhe fuqishëm”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se në Pejë është folur për nevojën e një kapitulli të ri për Kosovën.
“Folëm për familjet që meritojnë më shumë mbështetje, për të rinjtë që duhet të kenë arsye për të qëndruar, për zhvillimin ekonomik dhe pagat më të mira”, u shpreh ai.
Abdixhiku prezantoi edhe kandidatët e LDK-së nga Peja për zgjedhjet e 7 qershorit.
Sipas tij, Peja historikisht ka ditur të prijë në momente të rëndësishme politike.
“Peja ka ditur gjithmonë të prijë në momente të mëdha”, tha ai.
Në fund, lideri i LDK-së deklaroi se mbështetja për partinë po rritet.
“Shpresa është kthyer. Bashkimi po rritet. Rrugëtimi ynë po merr forcë”, përfundoi Abdixhiku.



