
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, që është partia më e madhe opozitare, ka mbajtur mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje janë diskutuar zhvillimet politike në Kosovë, organizimi i brendshëm i PDK-së dhe procesi i zgjedhjeve të brendshme.
“Kryesia vlerësoi se ky proces zgjedhor përbën një mundësi të rëndësishme për fuqizimin e strukturave, përfshirjen e energjive të reja dhe ndërtimin e një PDK-je më të fortë, më të bashkuar dhe më të përgatitur për sfidat politike dhe përgjegjësitë që e presin Kosovën.
Po ashtu, Kryesia diskutoi edhe për zhvillimet që lidhen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke shprehur pritjen që vendimi të jetë lirues për ish-krerët e UÇK-së”, thuhet në njoftim.
Në mbledhje është diskutuar edhe për pozitën politike të PDK-së në raport me zhvillimet në vend. Kryesia ritheksoi se, “pavarësisht sfidave politike, PDK-ja ka ruajtur unitetin, organizimin dhe pozitën e saj si partia kryesore opozitare në vend, duke mbetur forca me numrin më të madh të deputetëve në opozitë”.
Tutje, theksohet se PDK-ja ka deklaruar se mbetet e përkushtuar të respektojë vullnetin e anëtarësisë, të forcojë demokracinë e brendshme dhe të vazhdojë angazhimin për një Kosovë më të zhvilluar, më të sigurt dhe të integruar plotësisht në institucionet euroatlantike.



